Në një lidhje live për Euronews Albania me meteorologen Lajda Porja, bëri parashikimin e motit ku theksoi se, duke qenë se i gjithë kontinenti është nën ndikimin e temperaturave të larta, edhe Shqipëria do të preket ndjeshëm nga kjo valë e të nxehtit.
Sipas meteorologes, Shqipëria pret temperatura jo më shumë se 37° apo 38°, ku dhe siç e theksoi edhe ajo, muaji qershor do të mbyllet me temperatura që janë 7 apo 8 gradë më të larta se ç’duhet të jenë.
“I gjithë kontinenti evropian është në ndikimin e të nxehtit nga masat e nxehta afrikane, duke sjellë temperatura shumë të larta. Shqipëria, ndonëse në periferi të kësaj vale, pret një javë me temperatura mjaft të larta. Parashikohet që deri ditën e mërkurë termometri të jetë rreth vlerës 36°, ndonjë zonë e izoluar dhe 37°. Ndërkohë pjesa e dytë e javës, kryesisht e premtja dhe fundjava, do të sjellë një tjetër rritje të temperaturave. Shqipëria pret temperatura jo më shumë se 37° apo 38°.
Kryesisht do të jetë verilindja në pjesën e parë të javës, dhe në pjesën e dytë të javës, pra që nga dita e enjte, e premte dhe fundjava, do të rrezikohen më shumë zonat juglindore. Nuk përjashtohen dhe zonat qendrore, Tirana, Elbasani, ku presim që të kemi rrebeshe afatshkurtra të cilat do të jenë në pjesën e dytë të ditës. Temperaturat e larta, tashmë në kulmin e verës që jemi, do të na shoqërojnë pothuajse jo vetëm këtë javë, por dhe gjatë javës tjetër. Ditët do të jenë të nxehta, herë pas here dhe shumë të nxehta.
Megjithatë le të themi që muaji qershor do të mbyllet me temperatura që janë 7 apo 8 gradë më të larta se ç’duhet të jenë. Presim që vlerat më të larta të shënohen në qarkun e Shkodrës, në qarkun e Beratit, në qarkun e Elbasanit, në qarkun e Gjirokastrës. Këto do jenë edhe qarqet që do shënojnë vlerat më të larta.
Parashikohet që maksimalja, ne siç e kemi thënë, do jetë në intervalin nga ora 10:30-11:00 am deri në orën 14:30 pm. Ky është intervali ku dhe presim që të kemi orët e pikut, edhe patjetër japim gjithmonë paralajmërime që lëvizjet në këtë orar të pikut, ata që s’e kanë të nevojshme, është më mirë t’i shmangin dhe të qëndrojnë të hidratuar”, u shpreh ajo.
E pyetur nga gazetarja se si do të jetë situata për rajonin, meteorologia u shpreh se e njëjta gjë prek edhe rajonin, ku e premtja dhe fundjava do të shënojnë temperatura të larta.
“Republika e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut sot dhe nesër janë me temperatura 31, 32 deri në 34°. Maqedonia e Veriut parashikohet që i nxehti të shkojë pak më vonë. Presim që të enjten dhe të premten dhe në fundjavë të kemi temperatura akoma më të larta. Kosova do jetë kryesisht me mot të qëndrueshëm dhe rrebeshe të izoluara.
Ndërkohë Maqedonia e Veriut përgjatë gjithë javës do të jetë paradite shumë nxehtë, me diell, dhe pasdite, pothuajse çdo pasdite, do rrezikohet nga rrebeshe shiu, nga stuhi ere herë pas here dhe breshër. Parashikojnë që temperaturat më të larta të jenë ditën e shtunë. Pra e shtuna do të jetë edhe dita më e nxehtë për vendet e rajonit, dhe më pas do të vijojë e shtuna dhe e diela, dhe gjithë java tjetër e cila do jetë në ndikimin e temperaturave të larta”, u shpreh Porja.




