“Ia kam dhënë votën”/ Pensionisti nga Vlora në protestë: E kam prishur kontratën me Ramën

TIRANË- Një i moshuar nga rrethinat e Vlorës ka marrë pjesë në protestën që po mbahet në Tiranë ditën e sotme. Duke folur për mediat, i moshuari ka bërë një autokritikë që nuk ka mundur të jetë i pranishëm çdo ditë.

Ai theksoi se kriza aktuale kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të drejtësisë për të dy liderët kryesorë politikë në vend.

“Do e nisja fjalën me një vërejtje ndaj vetes sime se nuk kam marrë pjesë çdo ditë se jam pensionist. Krijova mundësinë time që përmes pensionit tim të vij 3-4 herë këtu. Jam nga rrethinat e Vlorës dhe kam ardhur 4 herë këtu. Unë nuk jam as politikan e as orator dhe nuk njoh as Sali Berishën as Edi Ramën, por duke dëgjuar se vërejtjet më të mëdha për ta i bëjnë ata vetë, duhet të ndërhyjë edhe SPAK që të marrë dosjet e tyre dhe t’i japë zgjidhje këtij populli. Rama thotë se e kanë votuar 800 mijë shqiptarë; unë ja kam dhënë votën, por e kam prishur kontratën me të, se nuk na përgjigjet më neve si popull!” përfundoi protestuesi