Trafikim i lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal, SPAK përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim 10 persona

Tiranë, 16 Qershor 2026 — Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal nr. 177 të vitit 2023, në ngarkim të 10 anëtarëve të një grupi të strukturuar kriminal. Të pandehurit akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, personat e marrë të pandehur janë shtetasit: Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (alias Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata. Sipas akteve të dosjes, hetimet kanë vërtetuar se këta shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë të dënuar jashtë vendit dhe disa ende të paidentifikuar, kanë koordinuar aktivitetin e tyre përmes platformës së enkriptuar “SkyEcc”, komunikime këto të vëna në dispozicion nga autoritetet e drejtësisë franceze.

Nga analizimi i provave, prokuroria ka specifikuar rolet brenda organizatës. Shtetasit Musa Gjikola, Jani Meçja, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo Çadri akuzohen se kanë pasur rolin e drejtuesve dhe financuesve të rrjetit. Ndërsa shtetasit Sokol Masha, Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata kanë vepruar si pjesëmarrës në këtë aktivitet kriminal. Përveç trafikut të drogës, të pandehurit Sokol Masha dhe Akil Alushi akuzohen gjithashtu se kanë drejtuar operacionet për transportimin e paligjshëm të 55 shtetasve sirianë nga Shqipëria drejt Italisë.

Dokumentimi i aktivitetit shtrihet në 8 episode kriminale të ndodhura gjatë viteve 2020 dhe 2021. Përgjatë kësaj periudhe, grupi ka trafikuar nga Amerika Latine (Brazili dhe Ekuadori) drejt porteve të Bashkimit Europian (Itali, Holandë), si dhe nga Shqipëria drejt Greqisë e Gjermanisë, një sasi totale prej 4,340.2 kg lëndësh narkotike. Nga kjo sasi e sekuestruar, 3,635 kg ishte kokainë, 2 kg heroinë dhe 701 kg kanabis sativa.

Ky operacion i gjerë u realizua falë një bashkëpunimi të ngushtë ndërkombëtar me strukturat e drejtësisë në Brazil, Ekuador, Francë, Holandë, Itali dhe Serbi, si dhe me mbështetjen e Eurojust, Europol, Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit. SPAK bën me dije se për të identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë të përfshirë në këto raste, ka regjistruar një procedim të ri të ndarë nën numrin 177/2 të vitit 2026, për të cilin hetimet janë ende në vijim.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal nr. 177 të vitit 2023, në ngarkim të 10 të pandehurve:

Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (alias Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi, Arian Gjata, të akuzuar për veprat penale:

Musa Gjikola dhe Jani (alias Ilir) Meçja, për kryerjen e veprave penale:

 
“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Sokol Masha dhe Akil Alushi, për kryerjen e veprave penale:

“Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 298/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo (alias Arbër) Çadri (alias Hysko, alias Isufi, alias Çela), për kryerjen e veprave penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1, dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Sokol Masha, për kryerjen e veprave penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, (njëri episod i konsumuar sipas nenit 283/a dhe tjetri mbetur në tentativë sipas nenit 283/a-22 të Kodit Penal), dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2, (22) dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata, për kryerjen e veprave penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,

“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

Hetimet rreth këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet braziliane, ekuadoriane, franceze, holandeze, italiane dhe serbe, të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe me strukturat e hetimit me Policinë e Shtetit për ekzekutimin e masave të sigurimit personal.

Nga hetimet e kryera për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar e provuar se 10 të  pandehurit: Musa Gjikola, Sokol Masha, Jani (alias Ilir) Meçja, Akil Alushi, Selami Lushkaj, Klodjan Muça, Denis Harusha, Lorenzo Çadri, Ledri Lulashi, Arian Gjata, në bashkëpunim me disa persona të dënuar nga autoritetet e huaja dhe me disa persona të paidentifikuar ende, kanë trafikuar sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike nga vendet e Amerikës Latine, nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian, si dhe kanë ndihmuar kalimin e paligjshëm të kufirit, nga Shqipëria për në Itali të 55 shtetasve sirianë.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar me njëri-tjetrin në kryerjen e aktiviteteve të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar, “SkyEcc”, të cilat janë administruar nga autoritetet e drejtësisë franceze, në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale.

Në përfundim të hetimeve është konkluduar se të pandehurit: Musa Gjikola, Jani (alias Ilir) Meçja, Selami Lushka, Klodjan Muça, Denis Harusha dhe Lorenzo (alias Arbër) Çadri (alias Hysko, alias Isufi, alias Çela), kanë pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë e paligjshme kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve, ndërsa të pandehurit, Sokol Masha, Akil Alushi, Ledri Lulashi dhe Arian Gjata, kanë pasur rolin e pjesëmarrësve në këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, ka rezultuar e provuar se të pandehurit, Sokol Masha dhe Akil Alushi, kanë drejtuar në dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit të shtetasve sirianë.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në 8 episode që i përkasin viteve 2020 dhe 2021 (sipas akuzave që iu janë atribuuar respektivisht të pandehurve), rezulton e provuar se kanë trafikuar nga vendet e Amerikës Latine (Brazili, Ekuador) në drejtim të porteve kryesore të disa vendeve të Bashkimit Europian (Italisë, Holandës), apo nga Shqipëria për në drejtim të Greqisë dhe Gjermanisë, një sasi prej 4,340.2 kg lëndësh narkotike:

3635 kg lëndë narkotike e llojit kokainë
2 kg lëndë narkotike e llojit heroinë
701 kg bimë narkotike e llojit kanabis sattiva
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto episode të trafikimit të lëndëve narkotike, kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 177 të vitit 2023, numërtimin si procedimi penal me nr. 177/2 i vitit 2026, si dhe po vijojnë hetimet rreth këtij procedimi.

SPAK falenderon autoritetet e drejtësisë braziliane, ekuadoriane, franceze, holandeze, italiane, serbe,  Eurojust dhe Europol, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK në këtë procedim.