Projekti i Zvërnecit; Rama replikon me protestuesin në rrjetet sociale

Kryeministri vlerëson etikën e komunikimit në distancë, ndërsa dënon dhunën online dhe bllokimin e rrugës së aeroportit nga organizatorët.

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një replikë publike në rrjetet sociale me një prej protestuesve që kundërshtojnë projektin e zhvillimit infrastrukturor në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Përmes këtij komunikimi, kreu i ekzekutivit ka tentuar të ndajë qytetarët me kërkesa legjitime nga ajo që ai e konsideron si një “turmë të manipuluar” për interesa politike.

Rama ka vlerësuar etikën e përdorur nga qytetari në fjalë, duke u shprehur se qeveria nuk pretendon që protestat t’i pëlqejnë asaj, dhe se transparenca mbetet e bazuar mbi rreshtimin e fakteve zyrtare. Megjithatë, numri një i qeverisë ka lëshuar kritika të ashpra ndaj formave të radikalizimit të tubimeve, që sipas tij po cenojnë interesat ekonomike të vendit në kulmin e sezonit veror.

“Të protestosh është legjitime dhe askush s’e ve në diskutim këtë. Por t’u bësh jehonë shpifjeve, gënjeshtrave, fabrikimeve dhe të bllokosh deri edhe rrugën e aeroportit është cenim i sezonit turistik dhe ekonomisë”, ka deklaruar Rama, duke shtuar se dhuna online dhe bullizimi i njerëzve në rrugë nuk përbëjnë debat publik, por mbytje të tij.

Sipas kryeministrit, reagimi i qytetarëve po shfrytëzohet nga faktorë të jashtëm dhe brendshëm për “përsheshet e veta politike, ideologjike apo fetare”. Ai theksoi se vetë protestuesit po shfaqin zhgënjim nga drejtimi që po merr kjo lëvizje, ndërsa shtoi se në fund të këtij procesi, Partia Socialiste do të dijë të dëgjojë, të nxjerrë mësime dhe të dalë me të vërteta që njerëzit e zakonshëm i kuptojnë qartë.