Në moshën 55-vjeçare, Kujtim Isufi numëron 33 vite punë si infermier, duke qenë një nga profesionistët më të njohur dhe më të respektuar të shërbimit shëndetësor në Elbasan.
Për 30 vite ka punuar në Spitalin e Elbasanit, ku 10 vite ka shërbyer në Kirurgji dhe 20 vite në Poliklinikë. Gjithashtu, për 3 vite ka mbajtur detyrën e Inspektorit Shendetesor të Ushtrisë për Prefekturën e Elbasanit.
Prej 15 vitesh është pedagog i jashtëm në Fakultetin e Infermierisë, ku u mëson studentëve praktikën profesionale dhe ndan me ta përvojën e fituar gjatë viteve të punës në terren.
Kujtimi ka qenë ndër themeluesit e Urdhrit të Infermierit në vitin 2008 dhe për 10 vite ka shërbyer si Sekretar i Urdhrit të Infermierëve në Elbasan.
Përveç punës së përditshme, ai është aktiv edhe në ekipet mjekësore të AF Elbasanit dhe AST Elbasanit, duke ofruar ndihmë në aktivitete sportive dhe raste emergjente.
Shumë qytetarë e njohin jo vetëm si infermier, por si njeriun që është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë. Gjatë pandemisë COVID-19 ai punoi pa pushim, ditë e natë, në spital dhe në familjet që kishin nevojë për kujdes shëndetësor.
Gjatë gjithë karrierës së tij, ka ndihmuar qindra pacientë dhe ka shpëtuar dhjetëra jetë në aksidente rrugore, në plazh dhe në situata të tjera emergjente, duke dhënë ndihmën e parë në kohën e duhur.
Përkushtimi ndaj pacientëve ka bërë që shumë njerëz ta thërrasin me respekt “Doktor Kujtimi”, edhe pse ai është infermier. Për të, profesioni nuk ka qenë thjesht një punë, por një mision në shërbim të njerëzve.














