TIRANË – Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Oliger Torba, ka dalë në një deklaratë për mediat duke sqaruar rrethanat dhe dinamikën paraprake të vrasjes së ndodhur mesditën e sotme. Kreu i Policisë së Kryeqytetit saktësoi se ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugë, pranë një fushe kalçetoje, por vendndodhja ekzakte është në zonën e Paskuqanit dhe jo brenda Kamzës siç u raportua fillimisht.
Sipas drejtorit Torba, i riu Ardian Baloshi, 27 vjeç, ka ndërruar jetë rrugës për në Spitalin e Traumës. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë parë të riun e shtrirë në tokë dhe e kanë transportuar me urgjencë drejt bluzave të bardha, por plagët e marra kanë qenë vdekjeprurëse.
Autori i armatosur u largua me mjet:
Policia konfirmon se autori i dyshuar, Sadik Llanaj, pasi ka qëlluar me armë zjarri drejt 27-vjeçarit pas një konflikti për lojën e kalçetos, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke përdorur një automjet. Ai dyshohet se është ende i armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë.
Aktualisht, reparti elitë RENEA dhe forca të shumta të policisë kanë blinduar hyrje-daljet e Paskuqanit dhe zonave përreth, duke vijuar kontrollet e rrepta për lokalizimin e automjetit dhe arrestimin e autorit të krimit.




