Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi, është zyrtarisht lojtar i Trabzonspor, duke i dhënë fund negociatave mes palëve.
Klubi i Beşiktaş publikoi një komunikatë zyrtare, ku konfirmoi se Trabzonspori ka ushtruar të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit të futbollistit shqiptar, pas marrëveshjes së mëparshme të huazimit.
Sipas njoftimit, klubi nga Trabzoni do të paguajë 8.5 milionë euro plus TVSH për transferimin e Muçit. Ndërkohë, raportimet në mediat sportive turke bëjnë të ditur se vlera totale e operacionit arrin në 9.5 milionë euro, duke u kthyer në një rekord shpenzimesh për Trabzonsporin në merkato.
“Lidhur me transferimin përfundimtar të futbollistit profesionist Ernest Muçi, Trabzonspori ushtroi të drejtën e blerjes së tij, duke përfshirë edhe marrëveshjen e huazimit. Trabzonspor do t’i paguajë klubit tonë vlerën prej 8.5 milionë eurosh dhe TVSH. Falënderojmë Ernest Muçin për kontributin e tij në klubin tonë dhe i urojmë suksese në karrierën e tij të ardhshme”, thuhej në deklaratën zyrtare të Beşiktaşit.
Ky transferim konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierën e Muçit, i cili pritet të ketë një rol kyç te Trabzonspori në sezonin e ardhshëm.













