Kumbaro: Në shtator nis zbatimi i kurrikulës së re për nxënësit e klasave I, VI dhe X

Në vitin e ri shkollor 2026-2027 klasat I, VI dhe X do të mësojnë me kurrikula të reja.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se programet lëndore të përditësuara për klasat 1, VI dhe X tashmë janë publikuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar.

“Këto programe do të nisin zbatimin në vitin e ri shkollor 2026–2027 dhe janë një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit në arsimin parauniversitar”, vuri në dukje ajo.

“Të gjithë drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe punonjësit e institucioneve arsimore mund t’i shkarkojnë dhe t’i studiojnë me kujdes për t’u njohur me risitë, qasjet dhe orientimet e reja që ato sjellin për praktikën profesionale”, theksoi Kumbaro.

Paralelisht, çdo fundjavë, trajnimet që zhvillohen në kuadër të Programit Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve (PKZHM), nga universitetet në të gjithë vendin, janë fokusuar pikërisht në këto programe të përditësuara.

“Për këtë arsye, pjesëmarrja aktive e çdo mësuesi në trajnim është thelbësore për një zbatim të suksesshëm dhe korrekt në klasë”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “po bëhemi gati për një vit shkollor edhe me më shumë cilësi dhe profesionalizëm”.