Mungesa e ujit të pijshëm vijon të jetë problem edhe sot, të mërkurën, më 20 maj, në qytet, pavarësisht njoftimit të mëparshëm të Ujësjellës-Kanalizimeve se ndërprerja do të zgjaste vetëm gjatë mbrëmjes së së martës.
Sipas qytetarëve, furnizimi me ujë nuk është rikthyer ende në shumë zona të qytetit, duke shkaktuar vështirësi të mëdha në jetën e përditshme. Situata ka prekur gjithashtu edhe institucionet arsimore dhe zyrtare, të cilat kanë funksionuar pa ujë gjatë ditës së sotme.
Banorët shprehen të irrituar për mungesën e informacionit të përditësuar dhe për zgjatjen e papritur të ndërprerjes, duke kërkuar zgjidhje sa më të shpejtë nga autoritetet përgjegjëse.
Deri në këto momente, nuk ka një njoftim zyrtar të ri nga Ujësjellës-Kanalizimet lidhur me arsyet e vonesës së rikthimit të furnizimit me ujë dhe kohën e saktë të normalizimit të situatës.















