Aksident tragjik në Sukth, makina përplas motorin – humb jetën një 28-vjeçar

DURRËS – Një aksident i rëndë me pasojë humbjen e jetës së një 28-vjeçari është regjistruar mbrëmjen e së martës në Sukth.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:45, në rrugën që lidh Sukthin me Rrushkull, në zonën e njohur si lagjja “Stalla”.

Sipas informacionit paraprak nga policia, një automjet është përplasur me një motomjet që drejtohej nga shtetasi A.SH., 28 vjeç. Për shkak të përplasjes së fortë, i riu ka marrë plagë të rënda dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Menjëherë pas aksidentit, në zonë mbërritën shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kryen veprimet e para procedurale dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia bëri me dije se është arrestuar drejtuesi i automjetit, shtetasi M.V., 19 vjeç, i cili dyshohet se është përgjegjës për aksidentin fatal.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e plotë të përplasjes që i mori jetën 28-vjeçarit.