TIRANË – Platforma qeveritare e-Albania do të jetë përkohësisht jashtë funksionit për shkak të një procesi përditësimi teknik që synon përmirësimin e infrastrukturës teknologjike dhe rritjen e performancës së sistemit.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet elektronike të portalit nuk do të jenë të aksesueshme nga data 15 maj, ora 22:00, deri më 18 maj, ora 08:00.
Gjatë kësaj periudhe, qytetarët dhe bizneset nuk do të mund të përdorin shërbimet online të platformës, përfshirë aplikimet dhe dokumentet elektronike që ofrohen përmes sistemit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje përdoruesve që të planifikojnë paraprakisht aplikimet apo shërbimet që u nevojiten, për të shmangur vonesa gjatë intervalit të mirëmbajtjes teknike.













