LEZHË – Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në aksin rrugor Mamurras–Laç, në zonën e Sanxhakut, ku ish-kryetari i Partisë Demokratike për njësinë administrative Dajç, Sokol Toma, ka rënë pre e një sulmi brutal nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, kur persona të maskuar kanë goditur 53-vjeçarin me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike. Për shkak të gjendjes së rënduar, Toma është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor.
Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se agresorët dyshohet se i kanë thyer këmbët dhe i kanë shkaktuar dëmtime serioze në njërin vesh. Aktualisht ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve në pavijonin e ortopedisë.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë reagoi zyrtarisht lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, duke bërë të ditur se Sokol Toma ndodhet në monitorim intensiv në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës.
“Pacienti S.T. ndodhet në monitorim intensiv me dëmtime në gjymtyrët e poshtme dhe dëmtime të veshit. Është koshient dhe në gjendje të stabilizuar”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk janë identifikuar autorët dhe as motivet e sulmit. Grupi hetimor po punon për administrimin e provave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.













