Durrësi në zi, qytetarë të shumtë ngushëllojnë familjet e dy fëmijëve

Në zonën e ish-kënetës në Durrës ka pllakosur zija pas tragjedisë së rëndë ku humbën jetën dy fëmijë të mitur, Eneo Muca, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç.

Banorët e zonës, të tronditur nga ngjarja, kanë mbushur rrugicat dhe banesat e familjeve të viktimave për të shprehur ngushëllime dhe solidaritet në këto momente të dhimbshme.

Dyert e familjeve të pikëlluara janë hapur për qindra qytetarë që po shkojnë pa pushim për ngushëllim, ndërsa Durrësi është zhytur në zi të thellë.

Banorë jo vetëm nga zona, por nga i gjithë qyteti, janë bashkuar në homazhe për të miturit, duke ndarë dhimbjen dhe tronditjen për humbjen e tyre të parakohshme.