Matura Shtetërore 2026: Hapen aplikimet për formularët A1 dhe A1Z, publikohen datat e provimeve

Ministria e Arsimit ka njoftuar se aplikimet për formularët A1 dhe A1Z në kuadër të Maturës Shtetërore 2026 do të hapen në datat 5–7 maj.

Sipas njoftimit të bërë nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, maturantët do të kenë mundësi të aplikojnë çdo ditë nga ora 08:00 deri në 16:00, përmes platformave online të dedikuara.

Paralelisht janë bërë publike edhe datat e zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore 2026. Provimi i gjuhës së huaj do të mbahet më 2 qershor, ndërsa më 9 qershor maturantët do t’i nënshtrohen testimit në gjuhë shqipe dhe letërsi.

Provimi i matematikës është planifikuar për datën 16 qershor, ndërsa provimi me zgjedhje do të zhvillohet më 23 qershor.

Autoritetet arsimore u bëjnë thirrje nxënësve të respektojnë afatet e aplikimit dhe të ndjekin me kujdes procedurat përkatëse, në mënyrë që të shmangen problematika gjatë procesit të regjistrimit.