Edi Rama i përgjigjet Elisa Spiropalit: “Ose me ne, ose kundër nesh”

TIRANË, 27 Prill 2026 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj Elisa Spiropali gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pas qëndrimeve të saj në rrjetet sociale.

Sipas burimeve, Rama ka marrë fjalën në fund të mbledhjes dhe ka komentuar për disa minuta situatën, duke i kërkuar Spiropalit të shmangë krijimin e tensioneve brenda partisë.

“Te puna e partisë nuk mund të bëni drama, dhe për këtë po i drejtohem ty, Elisa”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Kryeministri theksoi se qëndrimet brenda partisë duhet të jenë të qarta, duke përdorur një mesazh të drejtpërdrejtë: “Partia ka dy ngjyra: bardhë e zi. Ose bardhë me ne, ose zi përballë nesh”.

Më tej, Rama e cilësoi këtë si një përgjigje ndaj postimeve të Spiropalit në rrjetet sociale, ndërsa nuk i lejoi asaj të marrë fjalën për replikë gjatë mbledhjes.

“Ti s’mund të replikosh këtu, ti nuk merr më fjalë”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se investimi politik ndaj saj ka qenë i konsiderueshëm nga Partia Socialiste.

Sipas të njëjtave burime, Rama ka përmendur edhe qëndrime të mëparshme të Spiropalit në votime, duke paralajmëruar pasoja në rast të përsëritjes së situatave të ngjashme.

Zhvillimi vjen në një moment tensionesh të brendshme në radhët e Partisë Socialiste, ndërsa nuk ka ende një reagim publik nga Spiropali pas mbledhjes.