Gjatë vitit 2025, 641 çifte i dhanë fund martesës në Elbasan

Numri i divorceve në Elbasan vijon të shënojë rritje nga viti në vit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025, plot 641 çifte i dhanë fund martesës së tyre, krahasuar me 591 raste të regjistruara në vitin 2024.

Rritja e këtyre shifrave lidhet me një sërë faktorësh socialë dhe ekonomikë. Ekspertët theksojnë se jeta gjithnjë e më intensive dhe vështirësitë ekonomike ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhëniet në çift, duke sjellë shpesh mungesë komunikimi dhe përkeqësim të bashkëjetesës.

Procesi i divorcit mbetet i vështirë për të dyja palët, ndërsa në shumë raste pasojat ndihen edhe më fort tek fëmijët, të cilët shpesh kanë nevojë për mbështetje psikologjike për të përballuar ndarjen e prindërve.

Nga ana tjetër, procedurat gjyqësore të zgjatura shtojnë barrën emocionale dhe pasigurinë për familjet. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025 në gjykatë janë mbartur 491 çështje me objekt zgjidhje martese, ndërsa në vitin 2024 ky numër ishte 676.

Shifrat konfirmojnë një trend në rritje të ndarjeve, duke reflektuar ndryshimet sociale dhe sfidat me të cilat përballen familjet shqiptare sot.