Riciklimi promovohet, por mbledhësit në luftë për mbijetesë: plastika me 150 lekë/kg

Screenshot

Rënia e çmimit të plastikës vijon të rëndojë jetesën e mbledhësve informalë, të cilët çdo ditë përballen me një treg gjithnjë e më pak fitimprurës.

Prej vitesh, mbledhin bidona plastikë për t’i shitur me vetëm 150 lekë të vjetra për kilogram një çmim që mezi u siguron të ardhura minimale për mbijetesë.

Rasti i Sali Xibrakut dhe bashkëshortes së tij është një nga shumë të tillë. Çdo ditë ata endet rrugëve të qytetit për të grumbulluar plastikë, duke arritur me vështirësi të sigurojnë rreth 10 mijë lekë të vjetra në ditë. Një punë e lodhshme fizike, pa asnjë garanci dhe pa asnjë mbështetje.

Sipas tyre, dikur çmimi i blerjes së plastikës ka qenë më i lartë, por sot situata është përkeqësuar ndjeshëm. Pavarësisht kësaj, shpresa për përmirësim duket e zbehtë, ndërsa alternativa të tjera mungojnë.

Në një kohë kur riciklimi promovohet si domosdoshmëri për mjedisin, mbështetja për ata që e bëjnë të mundur këtë proces në terren mbetet minimale.

Shqipëria nxit riciklimin, por nuk mbështet ricikluesit duke i lënë ata në kufijtë e mbijetesës, mes punës së rëndë dhe një tregu që nuk i shpërblen.