Arrestohen dy persona për kultivim droge në Librazhd

Librazhd/Zhvillohet operacioni anticannabis, i koduar “Faza e parë”. Goditet që në faze fillestare, një tentativë për të kultivuar bimë narkotike, në fshatin Xhyrë.

U kapën në flagrancë, në zonën e pyllëzuar ku kishin kultivuar në platforma polistiroli, fidanë Cannabisi, vihen në pranga 2 shtetas.

Asgjësohen fidanët, si dhe sekuestrohen automjeti me të cilin autorët shkonin në këtë zonë, dhe 3 celularë.

Si rezultat i një hetimi proaktiv të kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe në koordinim me Prokurorinë, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 2 shtetasve, të dyshuar të përfshirë në kultivim të bimëve narkotike, u zhvillua operacioni i koduar “Faza e parë”.

Gjatë kësaj faze të operacionit, u arrestuan shtetasit O. L., 24 vjeç dhe R. B., 26 vjeç, të dy banues në fshatin Xhyrë.

Ata u kapën në flagrancë, në zonën e pyllëzuar të këtij fshati, ku kishin kultivuar në platforma polistiroli, fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa.

Kontrollet dhe hetimet në kuadër të operacionit anticannabis “Faza e parë”, vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.