I dënuar në Shqipëri me 18 vite burg, arrestohet në Belgjikë 29-vjeçari, pritet ekstradimi drejt Shqipërisë

BELGJIKË- Policia e Shtetit ka njoftuar se një 29-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Belgjikë dhe pritet ekstradimi në Shqipëri. Nasi Hodo është dënuar nga Gjykata e Vlorës me 18 vite burg për veprat penale “vrasja me dashje” në bashkëpunim, “vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “plagosja e lehtë me dashje”.

Në muajin korrik 2017, Nasi Hodo, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka vrarë me mjet prerës (thikë) shtetasin P. B., si dhe ka plagosur rëndë shtetasin E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Borsh, Sarandë. Ndërkohë pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Njoftimi:

FAST Albania kontribuon nëpërmjet rrjetit ENFAST, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar. Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacionit policor, finalizohet nga Policia belge operacioni i koduar “Ndërveprimi”.

Kapet në Belgjikë një 29-vjeçar, i dënuar nga Gjykata e Vlorës për vrasje, kryer në bashkëpunim, dhe plagosje. Shërbimet e FAST Albania, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se një shtetas i dënuar për krime kundër personit fshihej në Belgjikë.

Informacioni është shkëmbyer në kohë reale me partnerët belgë, nëpërmjet rrjetit ENFAST dhe, si rezultat, në kuadër të operacionit të koduar “Ndërveprimi”, u mundësua lokalizimi, kapja në Belgjikë dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit: Nasi Hodo, 29 vjeç, i lindur në Sarandë.

29-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht, sepse në vitin 2019, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Në muajin korrik 2017, shtetasi Nasi Hodo, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka vrarë me mjet prerës (thikë) shtetasin P. B., si dhe ka plagosur rëndë shtetasin E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Borsh, Sarandë.

Gjithashtu, 29-vjeçari është autor i plagosjes së shtetasit D. K. Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve belgë, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit Nasi Hodo në Shqipëri, me qëllim kryerjen e pjesës së mbetur të dënimit, 13 vjet, 6 muaj dhe 27 ditë burgim./