Shqipëria me përfshirje të lartë në arsim por emigracioni dhe lindjet e ulëta tkurrin numrin e nxënësve

Shqipëria vijon të shënojë nivele të larta në përfshirjeje në arsim, duke u renditur ndër vendet me më pak persona jashtë sistemit arsimor. Megjithatë, shkollat po përballen me një rënie të vazhdueshme të nxënësve, si pasojë e emigracionit dhe lindjeve të ulëta.

Të dhënat më të fundit nga Eurostat dhe Eurydice tregojnë se vetëm rreth 3.2% e popullsisë mbi 15 vjeç nuk ka ndjekur shkollë, një ndër përqindjet më të ulëta në Europë, që tregon nivel të lartë të përfshirjes në sistemin arsimor.

Megjithatë, sistemi arsimor po përballet me një tkurrje të fortë të numrit të nxënësve. Në vetëm pak vite, numri i tyre ka rënë me rreth 12%, duke reflektuar ndikimin e emigracionit dhe rënies së lindjeve. Rënia është më e theksuar në zonat verilindore dhe jugore, si Kukësi, Dibra dhe Gjirokastra, ndërsa qytetet e mëdha si Tirana dhe Durrësi ndjejnë më pak ndikimin për shkak të migrimit të brendshëm.

Analistët nënvizojnë se Shqipëria ka bërë progres në aksesin bazë në arsim dhe pjesëmarrje, por sfidat mbeten në nivelet e larta të edukimit dhe në qëndrueshmërinë e sistemit. Pjesëmarrja në arsimin e mesëm dhe universitar mbetet më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, ndërsa rënia e popullsisë së re pritet të thellojë më tej këtë problem në vitet e ardhshme.

Emigracioni i të rinjve dhe ndryshimet demografike, nëse vijojnë me këtë ritëm, mund të sjellin më pak nxënës në shkolla dhe sfida për ruajtjen e cilësisë dhe burimeve njerëzore në sistemin arsimor.