Në kuadër të hetimeve të thelluara të SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka ushtruar kontrolle në tre banesa brenda një resorti luksoz në zonën e Palasë.
Kontrollet janë kryer me vendim të GJKKO, ndërsa dy prej banesave rezultojnë në pronësi të biznesmenit Ergys Agasi. Për banesën e tretë, autoritetet ende nuk kanë konfirmuar pronësinë.
Sipas burimeve hetimore, gjatë operacionit janë sekuestruar materiale dhe pajisje që dyshohet se mund të kenë vlerë për procesin hetimor.
Ergys Agasi, së bashku me Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë, janë nën hetim për veprat penale “grup i strukturuar kriminal” dhe “manipulim i tenderëve publikë”, në një çështje që lidhet me aktivitetin e AKSHI.
Të dy biznesmenët rezultojnë aktualisht në kërkim, ndërsa dyshohet se kanë lënë territorin e vendit. Sipas hetimeve paraprake, ata akuzohen se, përmes presionit dhe shantazhit, kanë detyruar biznesmenin Gerond Meçe të tërhiqet nga ankimimet për disa procedura tenderuese, me qëllim favorizimin e kompanive të lidhura me ta.
Në kuadër të së njëjtës çështje, GJKKO ka vendosur pezullimin nga detyra të zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, Erion Ismailaj.
Ndërkohë, drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa ish-zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi është lënë në masën “detyrim paraqitjeje”, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.













