Merr tjetër zhvillim rasti i magazinës me kanabis në Peqin. Drejtori i Burgut Rrogozhinë vetëparaqitet në Polici

Çështja e operacionit policor të koduar “Kurtaj” ka marrë një kthesë të re, pas vetëparaqitjes në polici të drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, për të dhënë sqarime mbi përfshirjen e emrit të tij në këtë hetim.

Operacioni, i zhvilluar në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, çoi në zbulimin e rreth 4000 bimëve kanabisi të kultivuara në ambiente të mbyllura, të pajisura me llamba dhe sisteme të posaçme ndriçimi.

Siç shihet nga foto, Hasa është paraqitur vullnetarisht pranë organeve ligjzbatuese, pasi në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit ai ishte identifikuar si pronar i godinës ku u gjet lënda narkotike. Ai ka mohuar çdo lidhje me aktivitetin e paligjshëm, duke deklaruar se prej muajsh nuk ka frekuentuar objektin dhe nuk ka pasur dijeni për veprimtarinë që mund të zhvillohej aty.

Nga ana tjetër, burime policore bëjnë të ditur se hetimet janë shtrirë edhe mbi mundësinë që lidhja e paligjshme e energjisë elektrike të jetë realizuar nga një familjar i tij, konkretisht vëllai që banon në zonë. Ky element po verifikohet, pasi mund të ndikojë në përcaktimin e nivelit të dijenisë së Hasës mbi aktivitetin kriminal.

Vetëparaqitja e tij konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për hetimin, pasi pritet të ndihmojë në sqarimin e roleve dhe përgjegjësive konkrete lidhur me kultivimin e kanabisit në këtë ambient.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, operacioni “Kurtaj” u realizua nga Drejtoria për Krimet në Volum, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

Gjatë kontrolleve në terren, shërbimet e Policisë zbuluan në bodrumin e një magazine dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike në kushte artificiale. Në vendngjarje u sekuestruan gjithashtu llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari.

Në fazën fillestare të hetimeve, objekti rezultonte në pronësi të Bilal Hasës, për të cilin u shpall kërkimi, ndërsa tashmë ai është paraqitur për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjen.

Në kuadër të të njëjtit operacion, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, është shpallur në kërkim edhe shtetasi me iniciale E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Hetimet vijojnë me fokus jo vetëm pronësinë e objektit, por edhe identifikimin e personave që kanë administruar ambientin, kanë siguruar energjinë elektrike dhe kanë organizuar kultivimin e lëndës narkotike.

Operacioni “Kurtaj” po zhvillohet nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa autoritetet synojnë dokumentimin e plotë të skemës dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të të gjithë personave të përfshirë.