96 ditë protestë qytetare/ Marshimi vijon në Tiranë, protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim

Protesta qytetare në Tiranë ka hyrë sot në ditën e 96-të, duke vijuar prej më shumë se tre muajsh me tubime dhe marshime të përditshme. Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas nisën marshimin drejt Kryeministrisë.

Protestuesit kanë përsëritur kërkesat e tyre ndaj qeverisë, ndërsa ditët e fundit aksioni është shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me policinë.

Në protestën e fundit, marshimi u zhvendos edhe drejt Komisariatit Nr. 3 dhe Bllokut të Sigurisë, në shenjë mbështetjeje për protestuesit e ndaluar.

Ndërkohë, organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e aksionit dhe një përshkallëzim të protestës në ditët në vijim. Vëmendja është përqendruar edhe te 7 shtatori, kur protesta pritet të shënojë ditën e 100-të.

Pavarësisht kohëzgjatjes, lëvizja qytetare vijon të mbledhë protestues në kryeqytet, ndërsa organizatorët shprehen të vendosur për të vazhduar qëndrimin në rrugë.