PEQIN — Një ngjarje e rëndë është parandaluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin në fshatin Kodras, ku një 62-vjeçar ka goditur me kosore fqinjin e tij pas një konflikti për motive pronësie.
Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë pas marrjes së njoftimit, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar, shtetasit I. H., 62 vjeç, banues në po këtë fshat.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kanë zyrtarizuar arrestimin e 62-vjeçarit për veprën penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se I. H. ka tentuar të marrë jetën e fqinjit të tij, shtetasit A. D., 52 vjeç, për shkak të një mosmarrëveshjeje për pronën.
I dëmtuari 52-vjeçar është transportuar me urgjencë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme hetimore.



