GRAMSH — Një i ri ka shpëtuar pa pasojë për jetën mbrëmjen e së mërkurës në lumin Devoll, pas një operacioni të ndërlikuar shpëtimi të zhvilluar në kushte të vështira nga efektivët e Shërbimit Zjarrfikës të Gramshit.
Ngjarja u regjistrua rreth mesnatës, kur personi me inicialet E.Ç. tentoi të kalonte lumin nga fshati Menkollar i Njësisë Administrative Skënderbegas drejt fshatit Kodovjat. Gjatë lëvizjes në ujë, rritja e papritur e rrjedhës së lumit e bëri të pamundur kalimin e mëtejshëm, duke e lënë atë të bllokuar në mes të rrymës dhe në rrezik serioz për jetën.
Pas marrjes së njoftimit për emergjencën, forcat zjarrfikëse të Gramshit organizuan menjëherë ndërhyrjen në terren. Pavarësisht errësirës dhe terrenit të thyer, efektivët lokalizuan të riun dhe realizuan me sukses nxjerrjen e tij nga rrjedha e ujit në gjendje të mirë shëndetësore.
