BallinaArsimUniversiteti i Elbasanit nis vitin e ri akademik. Risitë

Universiteti i Elbasanit nis vitin e ri akademik. Risitë

Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka çelur vitin e ri akademik 2026–2027, duke mirëpritur rreth 1300 studentë të rinj. Shifra përfaqëson një trend në rritje krahasuar me vitet e mëparshme dhe konfirmon interesin për ofertën akademike të një prej institucioneve me traditë në arsimin e lartë shqiptar.

Universiteti përbëhet nga pesë fakultete dhe ofron 98 programe studimi në nivelet e diplomës profesionale, Bachelor, Master Profesional, Master Shkencor dhe doktoraturë. Në ofertën akademike përfshihet edhe Programi i Integruar i Studimit në Drejtësi, si dhe programe të zhvilluara në gjuhën angleze.

Të gjitha programet e studimit janë të hapura, ndërsa interesimi më i madh këtë vit është përqendruar te fushat e shëndetësisë, sportit, ekonomisë dhe teknologjisë së informacionit.
Në nivelin Bachelor, programet më të preferuara janë Infermieria e Përgjithshme, Edukimi Fizik dhe Sportet, Financë-Kontabilitet, Teknologjitë e Informacionit dhe Informatika Ekonomike.
Ndër programet profesionale, më të kërkuarat janë Teknik Mjedisi, Teknologji Laboratori, Sekretari e Specializuar, Edukator 0–3 vjeç dhe Mekatronikë.

Programet e mësuesisë vijojnë të kenë interes të qëndrueshëm. Universiteti thekson se të gjitha programet e mësuesisë me rëndësi kombëtare do të vijojnë të jenë të hapura.

Për studentët që ulen për herë të parë në auditorët e UNIEL, zgjedhja e universitetit lidhet me traditën akademike të institucionit, cilësinë e stafit, infrastrukturën dhe mundësitë që ofrohen gjatë viteve të studimit. Për shumë prej tyre, formimi universitar shihet si një hap drejt përgatitjes profesionale dhe integrimit në tregun e punës.

Për studentët e programeve prioritare ofrohen gjithashtu bursa të financuara nga Qeveria Shqiptare, duke krijuar mundësi shtesë për mbështetjen e të rinjve gjatë studimeve.

Universiteti ka vendosur në fokus “Paktin UNIEL për Praktikën dhe Punësimin”, përmes të cilit synohet forcimi i lidhjes mes formimit akademik dhe tregut të punës, duke zgjeruar praktikat profesionale dhe bashkëpunimin me institucione e biznese.

UNIEL vijon investimet në infrastrukturën mësimore dhe kërkimore, ndërsa laboratorët e rinovuar në shkencat natyrore, teknologji dhe shkencat teknike-mjekësore krijojnë kushte më të mira për një formim të orientuar drejt eksperimentimit dhe kërkimit.

Ndërkombëtarizimi përmes Erasmus+, universiteteve partnere dhe projekteve ndërkombëtare po zgjeron mundësitë për mobilitet dhe bashkëpunim akademik. Universiteti është pjesë e rrjeteve rajonale e evropiane dhe po synon të rrisë edhe praninë e studentëve ndërkombëtarë.

Në nisje të vitit të ri akademik, Rektorja e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Elvira Fetahu, nënvizon rëndësinë e cilësisë akademike dhe të rolit të universitetit në shoqëri:

“Në Universitetin e Elbasanit ‘Aleksandër Xhuvani’ besojmë se cilësia dhe përkushtimi janë çelësi për të ndërtuar një institucion që frymëzon, edukon dhe kontribuon realisht në zhvillimin e shoqërisë. Synimi ynë është të krijojmë një mjedis akademik ku dijet marrin formë përmes bashkëpunimit, kërkimit shkencor dhe angazhimit qytetar.”

Me traditën akademike, ofertën e gjerë të programeve, stafin e kualifikuar, infrastrukturën moderne, fokusin te kërkimi shkencor dhe zgjerimin e bashkëpunimeve kombëtare e ndërkombëtare, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” vijon të konsolidojë rolin e tij në arsimin e lartë. Në qendër të këtij zhvillimi mbetet studenti, me synimin që formimi akademik të shoqërohet me kompetenca praktike, përvojë profesionale dhe mundësi reale për integrim në tregun e punës.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments