20 familje pa ujë të pijshëm në Shebek, Pishkash: “Prej dy vitesh vetëm premtime”

Banorët e lagjes Shebek, në fshatin Pishkash, po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Rreth 20 familje thonë se prej dy vitesh kanë kërkuar zgjidhje nga bashkia, por deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Sipas banorëve, ata janë detyruar të sigurojnë ujin duke e mbushur në një burim që ndodhet rreth 2 kilometra larg banesave. Edhe ky burim, sipas tyre, është drejt tharjes, duke e bërë situatën edhe më të rëndë, sidomos gjatë sezonit të verës.

“Na është premtuar se do të na sillnin ujë, por kanë kaluar dy vjet dhe ende nuk është bërë asgjë. Jemi 20 familje që jetojmë pa ujë të pijshëm dhe detyrohemi të ecim kilometra për të siguruar nevojën më bazë për jetesë,” shprehen banorët.

Ata i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt për zgjidhjen e këtij problemi, pasi mungesa e ujit të pijshëm po vështirëson jetën e përditshme dhe përbën rrezik për shëndetin e banorëve.