Situata në Gojan të Pukës është përkeqësuar ndjeshëm. Flakët janë afruar pranë banesave, ndërsa disa shtëpi të pabanuara janë përfshirë nga zjarri. Banorët po evakuohen me ndihmën e forcave të Policisë, ndërsa në zonat e prekura raportohet edhe për ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme me linjat telefonike.
Zjarri në Gojan të Pukës ka dalë jashtë kontrollit, duke rënduar më tej situatën në zonat e prekura. Flakët janë përhapur pranë banesave, ndërsa disa shtëpi të pabanuara janë djegur.
Pamjet nga terreni tregojnë dëmet e shkaktuara nga zjarri, teksa flakët vijojnë të përparojnë dhe situata paraqitet kritike.
Për shkak të rrezikut, banorët po evakuohen me ndihmën e forcave të Policisë. Ndërkohë, në terren vijon puna e forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencës për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur banesat e tjera.
Situata është rënduar edhe nga ndërprerja e energjisë elektrike dhe problemet me linjat telefonike në zonat e prekura nga zjarri.
Banorët kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri për përballimin e situatës. Sipas raportimeve të tyre, deri në momentin e raportimit nuk ka pasur ndërhyrje me helikopter për shuarjen e flakëve.
Zjarri vijon të përbëjë rrezik serioz për banesat dhe komunitetin e zonës, ndërsa forcat në terren po përpiqen të kufizojnë përhapjen e tij.







