Zbardhen detaje nga atentati në Dukagjin/ Policia sekuestron 25 gëzhoja në vendgjarje

SHKODËR- Detaje janë zbardhur nga atentati i mirëorganizuar në zonën e Karmës së Kirit në Dukagjin, ku 40-vjeçari Aleksandër Koçeku është ekzekutuar me breshëri automatiku.

Bëhet me dije se, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar 25 gëzhoja në vendin e ngjarjes, të cilat, sipas ekspertizës paraprake, i përkasin të njëjtës armë zjarri. Dyshohet se autorët i kanë zënë pritë viktimës përgjatë aksit Kir–Prekal, duke e qëlluar për vdekje sapo ai është shfaqur.

Ndërkohë, viktima u gjet brenda automjetit të tij nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Për zbardhjen e ngjarjes, hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit që Koçeku përshkoi, ndonëse mungesa e tyre në zonën e atentatit po e vështirëson punën. Viktima, i cili punonte në një furrë buke, është vëllai i Vasel Koçekut, i arrestuar për vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka në 26 shkurt 2025.

Detaje nga vrasja e Prekës:

Ngjarje e ndodhur më 20 shkurt të 2025 në zonën e Gucisë së Re, njësia administrative Rrethina të Shkodrës. Burimet hetimore, dyshojnë se vrasja mund të ketë pasur si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, e cila asokohe ishte 13-vjeç.

Historia nis rreth tre vite më parë, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, sot 16-vjeç, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Koçeku, me argumentin se vajza ishte e mitur. Megjithatë, gjatë viteve në vijim, Preka ka vijuar këmbëngulje për vajzën, duke shprehur ndjenjat e tij edhe tek persona të tjerë.

Familja Koçeku nuk e ka pranuar, duke e konsideruar të papranueshme për shkak të moshës së mitur të vajzës ndërsa disa herë i kanë shkuar fjalë se çfarë thoshte viktima. Sipas hetimeve dyshohet se mëngjesin e 20 shkurtit, Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku, e ka nxjerrë Pavlin Prekën nga banesa e tij në Guci të Re. Më pas, sipas dyshimeve të prokurorisë, Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Trupi i pajetë i 20-vjeçarit u gjet disa orë më vonë nga familjarët, pasi ai nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike. I afërmi i tij, konkretisht xhaxhai i viktimës, u tha autoriteve që Pavlin Preka nuk kishte pasur probleme me njeri dhe se jetonte i qetë dhe pa trazira mes Shkodrës dhe Dukagjinit. Hetimet për vrasjen e Pavlin Prekës vijojnë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi Shkodrën 10 muaj më parë