U tremb nga dentisti dhe tentoi të arratisej, fëmija në Kinë kthehet në viral me “ndjekjen” në spital

Një skenë e pazakontë në një klinikë dentare në Qingdao, provinca Shandong, Kinë, është bërë virale në rrjetet sociale, pasi një video që tregon “arratisjen” e një fëmije para një ndërhyrjeje dentare ka mbledhur miliona shikime.

Protagonisti i videos është një djalë i vogël, i cili pak para se t’i nënshtrohej një heqjeje dhëmbi, është përfshirë nga paniku dhe ka vendosur të largohet me vrap nga klinika.

Pamjet tregojnë fëmijën teksa del nga dhoma e dentistit dhe vrapon në korridoret e spitalit, ndërsa pas tij nisen punonjësit e stafit mjekësor në një ndjekje të pazakontë. “Arratisja” përfundoi në parkingun e spitalit, ku stafi arriti ta kapte dhe ta qetësonte fëmijën. Pas bisedës me të voglin, procedura dentare vijoi normalisht.

Videoja ka shkaktuar reagime të shumta në internet, me shumë përdorues që kanë komentuar me humor se frika nga dentisti është një nga ankthat më të zakonshme si tek fëmijët, ashtu edhe tek të rriturit. Disa komentues e kanë cilësuar skenën si një “arratisje heroike”, ndërsa të tjerë kanë ndarë përvoja personale nga vizitat e tyre te dentisti.