Tërmete të fuqishme godasin Perunë, gjashtë viktima dhe 21 të plagosur

Dy lëkundje sizmike me magnitudë 5.1 dhe 3.7 të shkallës Rihter shkaktuan viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale në një zonë malore të Perusë. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për persona të bllokuar nën rrënoja.

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 21 të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve që goditën provincën malore Chupaca të Perusë gjatë mbrëmjes së së shtunës.

Sipas autoriteteve peruane, lëkundjet sizmike me magnitudë 5.1 dhe 3.7 të shkallës Rihter u regjistruan rreth 300 kilometra në lindje të kryeqytetit Lima, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Sizmologjike të Perusë.

Tërmeti i parë kishte një thellësi fokale prej rreth 24 kilometrash, ndërsa i dyti rreth 18 kilometrash.

Kreu i Institutit Kombëtar të Mbrojtjes Civile, Luis Vázquez, bëri të ditur se nga lëkundjet janë shkatërruar rreth 48 banesa, ndërsa 18 të tjera kanë pësuar dëmtime të pjesshme.

Autoritetet kanë shpërndarë tenda dhe materiale ndihme për rreth 300 persona të prekur, ndërsa shumë prej banesave në komunitetet e zonës janë ndërtime të thjeshta prej guri, çka ka rritur rrezikun e shembjeve.

Ekipet e zjarrfikësve dhe grupet e emergjencës kanë mbërritur në zonë në orët e para të mëngjesit për të kontrolluar rrënojat dhe për të kërkuar persona që mund të kenë mbetur të bllokuar.

Peruja ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit të Paqësorit”, një zonë me aktivitet të lartë sizmik që përfshin disa prej rajoneve më aktive të planetit për sa i përket tërmeteve dhe shpërthimeve vullkanike.