Një sherr që ka degraduar në përplasje fizike raportohet të ketë ndodhur në Spitalin Rajonal të Dibrës, mes Drejtoreshës së këtij institucioni dhe Përgjegjësit të Financave.
Sipas Policisë, ka qënë Përgjegjësi i Financave ai që ka kallëzuar mesditën e sotme Drejtoreshën e Spitalit se kjo e fundit e ka goditur me sende të forta në fytyre pas një konflikti verbal mes tyre.
Si pasojë policia bën me dije se është proceduar penalisht drejtoresha e spitalit, nën akuzën “Plagosja e lehtë me dashje”.
Njoftimi i Policisë:
Me datë 11.02.2025, rreth orës 12.00, në Komisariatin e Policisë Dibër është paraqitur shtetasi Sh.U., 37 vjeç, banues në Peshkopi, (me detyrë Përgjegjës finance në Spitalin Rajonal Dibër) dhe ka kallzuar se në ambientet e spitalit pas një konflikti verbal, është goditur me një send të fortë në fytyrë nga shtetasja I.Sh., 44 vjeçe, banuese në Peshkopi, (me detyrë Drejtoreshë e Spitalit Rajonal Dibër).
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen I.Sh., e dyshuar se ka kryer veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.