Reshjet paralizojnë qarkullimin në disa segmente në Elbasan, radhë kilometrike në aksin Qukës-Librazhd!

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë gjatë pasdites një pjesë të territorit të Qarkut të Elbasanit kanë sjellë probleme të shumta në qarkullimin rrugor, duke krijuar situata kritike në disa akse të rëndësishme të zonës.

Më problematike paraqitet situata në aksin kombëtar Qukës–Librazhd, ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e Korridorit VIII. Prej më shumë se 40 minutash, qarkullimi i automjeteve është thuajse i paralizuar, ndërsa pika më e rënduar mbetet zona e Xhyrës, ku dhjetëra automjete kanë mbetur të bllokuara në trafik.

Sipas raportimeve nga terreni, kolona e automjeteve ka arritur përmasa kilometrike. Për shkak të pritjes së gjatë dhe mungesës së një zgjidhjeje të menjëhershme, një pjesë e udhëtarëve kanë zgjedhur të kthehen pas. Situata është krijuar si pasojë e rrëshqitjeve të dherave dhe pranisë së sasive të mëdha të baltës në segmentin pranë Dragostunjës, një zonë e njohur për problematikat e saj gjeologjike. Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, po në këtë segment, rrëshqitja e një masivi dheu bllokoi qarkullimin për rreth tetë orë.

Në terren ndodhet një fadromë që po punon për pastrimin e baltës dhe materialeve të depozituara në rrugë, ndërsa Policia Rrugore është vendosur në gatishmëri për menaxhimin e trafikut dhe orientimin e drejtuesve të mjeteve. Më herët, janë raportuar probleme edhe në zonën e Moglicës në Gramsh, ku reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dheu e gurësh në disa segmente rrugore, duke vështirësuar lëvizjen dhe duke rritur rrezikun për përdoruesit e rrugës.