KLOS- Këshilli Bashkiak i Klosit është mbledhur këtë të enjte për të diskutuar projektin e propozuar nga PS për ndarjen e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin me Bashkinë Mat. Në mbledhje morën pjesë këshilltarët bashkiakë, drejtues vendorë dhe dhjetëra banorë të zonës.
Seanca u hap nga kryetarja e Këshillit Bashkiak, Hazbie Dedolli, e cila tha se mbledhja ishte thirrur me kërkesë të këshilltarëve për të diskutuar dhe miratuar një qëndrim zyrtar kundër këtij propozimi. Gjatë diskutimeve, këshilltarët u shprehën unanimisht kundër bashkimit me Bashkinë Mat, duke deklaruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar vendimin, pa përjashtuar edhe organizimin e protestave.
E pranishme në këtë mbledhje ishte edhe kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, e zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste. Gjatë fjalës së saj, Kola deklaroi se përpara çdo vendimmarrjeje do të zhvillohen dëgjesa publike në të gjitha fshatrat e bashkisë. Ajo theksoi gjithashtu se qëndrimi i saj do të jetë në përputhje me vullnetin e banorëve të Klosit.
“Unë dua tju bëj me dije si e zgjedhur nga qytetarët e mi, që karrigia e kryetarit të bashkisë nuk është e instaluar për një person dhe për interesa personale të një individi. Kryetari i bashkisë është shërbëtor i komunitetit që e ka besuar dhe votuar. Karrigia e bashkisë është e qytetarëve, ashti si edhe institucioni i bashkisë jep shërbime për të gjithë qytetarët pa dallime. Unë si e zgjedhur do jem me mendimin e qytetarëve, nëse qytetarët do të jenë pro do të jem pro, nëse qytetarët do të jenë kundër unë do jem kundër”, tha kryetarja e bashkisë




