TIRANË – 28 GUSHT 2026, 19:51 – Ka përfunduar takimi i zhvilluar në Vilën e Kuqe, ku kryeministri Edi Rama u ka dhënë detyra drejtuesve politikë dhe deputetëve socialistë, me fokus forcimin e komunikimit me qytetarët dhe daljen në terren.
Sipas burimeve, Rama u ka kërkuar përfaqësuesve të Partisë Socialiste që të zhvillojnë sa më shumë takime me qytetarët, të evidentojnë problematikat e tyre dhe t’i përcjellin ato për trajtim institucional.
Drejtuesit politikë, strukturat e PS-së në qarqe, deputetët dhe kryetarët e bashkive pritet të hartojnë një plan konkret për takimet në terren dhe mbledhjen e shqetësimeve të qytetarëve.
Problematikat do të grupohen sipas fushave dhe më pas do t’u përcillen ministrive përkatëse. Për ndjekjen e zgjidhjes së tyre do të caktohet edhe një zëvendësministër, i cili do të ketë përgjegjësi për monitorimin e procesit.
Një tjetër porosi e Ramës ka qenë që takimet me qytetarët të mos shoqërohen domosdoshmërisht nga kamera, duke kërkuar që fokusi të jetë te komunikimi i drejtpërdrejtë dhe dëgjimi i problematikave në terren.
Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar një datë për mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Të shtunën, kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një tjetër takim me drejtuesit politikë dhe deputetët e Tiranës, në një zonë periferike të kryeqytetit.




