Operacioni ndërkombëtar “Fury” / Arrestohen në Durrës dy të kërkuar për vrasje e grup kriminal në Maqedoninë e Veriut

DURRËS, 10 Korrik 2026 – Një operacion i gjerë ndërkombëtar i koduar “Fury” ka çuar në prangosjen e dy shtetasve me rrezikshmëri të lartë shoqërore në qytetin e Durrësit, të cilët kërkoheshin nga drejtësia e Maqedonisë së Veriut për krime të rënda. Aksioni u finalizua me suksese nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës dhe homologët maqedonas.

Ky operacion erdhi si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë dhe të shtrirë në kohë me partnerët strategjikë amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e SHBA-së në Tiranë dhe Shkup.

Në kuadër të këtij operacioni u lokalizuan dhe u vunë në pranga shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht:

Musa Xhaviti, 26 vjeç, i lindur në Shkup; dhe

Senafi Nuredini, 34 vjeç, i lindur në Norvegji.

Ndaj këtyre dy shtetasve ishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar nga INTERPOL për veprat penale “Vrasje”, “Plagosje”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në momentin e ndalimit, policia u gjeti atyre dokumente identifikimi të falsifikuara, të cilat dyshohet se u përdorën për t’u larguar nga territori maqedonas me qëllim shmangen e drejtësisë.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi nga Maqedonia e Veriut, Xhenkiz Rushiti, 26 vjeç. Ai akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se u kishte siguruar dy të kërkuarve dokumentet false. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Rushitit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Materialet procedurale lidhur me këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme të veprimeve ligjore, ndërsa Policia e Shtetit ka shprehur mirënjohjen për asistencën dhe koordinimin e treguar nga partnerët e DSS-së amerikan në këtë operacion të përbashkët.