Me numërimin e shumicës së votave, Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rënie krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Me numërimin e mbi 95% të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 43.47%, Partia Demokratike e Kosovës me 21.40%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.88% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.19%.
Këto rezultate e nxjerrin Vetëvendosjen dukshëm më poshtë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur kishte marrë mbi 51% të votave. Në ato zgjedhje, PDK kishte fituar 20.2%, LDK 13.2% dhe AAK 5.5%.
Votat e numëruara deri tani nuk përfshijnë ato të diasporës.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rreth 35%, dukshëm më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur votuan rreth 45% e trupës zgjedhore.
Policia e Kosovës ka njoftuar se procesi zgjedhor është zhvilluar qetë dhe pa incidente që do të ndikonin në mbarëvajtjen e tij.
Qytetarët e Kosovës të dielën, më 7 qershor, votuan për herë të tretë për përbërjen e legjislaturës së 11-të, pasi subjektet politike nuk arritën një marrëveshje për çështjen e presidentit.




