ROSKOVEC – Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e djeshme në fshatin Suk të Roskovecit, ku një 52-vjeçar plagosi me mjet prerës ish-vjehrrin e tij. Bëhet fjalë për Bledar Bakajn, i cili mësohet se është daja i deputetes socialiste Zegjine Çaushi.
Autoritetet policore bënë të mundur arrestimin e tij në flagrancë vetëm 30 minuta pas ngjarjes, pranë banesës së tij në fshatin Mbërsh.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30. Bledar Bakaj ka shkuar në banesën e Enver Grembit (ish-vjehrrit të tij, 67 vjeç), duke shkelur haptazi urdhrin e mbrojtjes të caktuar nga gjykata në favor të ish-bashkëjetueses së tij – e cila është vajza e 67-vjeçarit.
Pas mbërritjes në banesë, mes tyre ka nisur një konflikt për motive të dobëta, i cili ka degjeneruar në dhunë. Gjatë përplasjes, Bakaj ka goditur Enver Grembin në këmbë me një mjet prerës (drapër).
I plagosuri u dërgua menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.




