Një konflikt mes disa grupeve të miturish në Tiranë është parandaluar në kohë nga Policia, pasi të rinjtë ishin mbledhur për t’u përleshur me njëri-tjetrin në zonën e Kombinatit.
Burime për Top News bëjnë me dije se konflikti dyshohet se ka nisur në rrjetin social TikTok. Shkak është bërë pretendimi i njërit prej të miturve se motra e tij ishte ngacmuar në rrjetet sociale. Pas kësaj, ai dyshohet se ka mbledhur një grup të rinjsh me qëllim për t’u përballur me personat që i konsideronte përgjegjës.
Të miturit ishin organizuar në disa grupe, me të rinj nga zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Selitën, Yzberishtin, 21 Dhjetorin dhe ish-Parkun.
Sipas burimeve, para konfliktit, grupet janë grumbulluar dhe disa prej tyre kanë realizuar edhe video të veshur me të zeza, të cilat më pas i kanë publikuar në TikTok. Më pas, të armatosur me mjete të ftohta, ata janë nisur drejt zonës së Kombinatit, ku dyshohet se do të përballeshin fizikisht.
Policia ka marrë informacion për konfliktin e mundshëm dhe ka ndërhyrë në kohë, duke lokalizuar të miturit në rrugën “Llambi Bonata”. Ata ishin ndarë në grupe dhe dyshohej se po përgatiteshin për t’u konfliktuar.
Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre u gjetën me thika, kaçavida dhe maska. Në total, Policia sekuestroi 5 armë të ftohta dhe mjete të mprehta, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të operacionit u shoqëruan 28 të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç, të cilët më pas u proceduan në gjendje të lirë.
Pas ndërhyrjes së Policisë, familjarët e të miturve u njoftuan dhe veprimet procedurale u kryen në praninë e prindërve dhe psikologëve. Pas komunikimit me prokurorin, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




