Një aksident i rëndë ka ndodhur në qendër të Leipzigut, në rrugën Grimmaische Strasse, ku një makinë ka përplasur një grup këmbësorësh.
Sipas raportimeve të policisë gjermane, tetë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e ngjarjes. Mediat lokale raportojnë se automjeti dyshohet të ketë lëvizur me shpejtësi të lartë në momentin e përplasjes.
Dëshmitarët e vendngjarjes tregojnë se situata ka qenë dramatike dhe disa prej të plagosurve kanë qëndruar të mbuluar deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës.
Forcat e rendit nuk kanë dhënë ende detaje të plota për rrethanat e aksidentit apo për gjendjen shëndetësore të të plagosurve. Hetimet për shkaqet e ngjarjes vijojnë.













