Kush është ambasadorja e re e BE-së që pritet të emërohet në Tiranë?

Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Kaja Kallas, ka njoftuar propozimin e emrave të 33 ambasadorëve të Bashkimit Evropian dhe 7 zëvendësshefave të delegacioneve të Bashkimit Evropian.

Mes tyre është edhe Sofia Moreira de Sousa e cila është propozuar për postin e ambasadore së Bashkimit Evropian në Tiranë.

Ajo aktualisht shërben si shefe e Përfaqësisë së Komisionit Evropian në Portugali dhe më parë ka mbajtur, ndër të tjera, detyrën e ambasadore së Bashkimit Evropian në Kepin e Gjelbër (Cabo Verde).

Emërimet e ambasadorëve të BE-së do të formalizohen pasi të merret miratimi zyrtar nga vendet pritëse përkatëse, aty ku është e nevojshme, si dhe pas përfundimit të procedurave të tjera administrative në kuadër të procesit të rotacionit për vitin 2026.