KUJDES NGA KËTO MESAZHE NGA ‘E-ALBANIA’! AKSK denoncon skemën mashtruese të gjobave të papaguara

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka identifikuar një fushatë të re mashtrimi që po qarkullon përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten si njoftime për gjoba trafiku të papaguara.

Sipas njoftimit, mesazhet përmbajnë lidhje të dyshimta që ridrejtojnë përdoruesit drejt faqeve të rreme, të ndërtuara për të imituar platformën zyrtare e-Albania.

Qëllimi i tyre është marrja e të dhënave personale, kredencialeve të aksesit dhe informacioneve bankare të qytetarëve.

AKSK njofton se rasti është referuar pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit dhe pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me qëllim identifikimin dhe bllokimin e domain-eve dhe adresave IP të përdorura në këtë aktivitet.

Autoriteti u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj çdo mesazhi që kërkon veprime të menjëhershme ose pagesa përmes lidhjeve të panjohura.

Po ashtu, rekomandohet që të mos klikohen linke të dyshimta, të mos ndahen të dhëna personale apo bankare dhe të verifikohet gjithmonë adresa e faqes përpara çdo veprimi.

Për kontrollin e gjobave apo kryerjen e pagesave, qytetarët këshillohen të përdorin vetëm platformat dhe kanalet zyrtare.