Identifikohet viktima e aksidentit në Fier, humb jetën Dashmir Beca, 4 të plagosur

FIER – Është identifikuar viktima e aksidentit të rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm pranë rrethrrotullimit të Levanit, në aksin rrugor Levan–Tepelenë.

Viktima është Dashmir Beca, 55 vjeç, drejtuesi i automjetit tip “Audi”, i cili u përfshi në një përplasje të fortë me një automjet tip “Benz”.

Si pasojë e aksidentit, Dashmir Beca humbi jetën, ndërsa tre pasagjerët që ndodheshin në “Audi” janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Edhe drejtuesi i automjetit tip “Benz” ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të aksidentit dhe shkaqet që çuan në përplasjen fatale.

Paraprakisht dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara mund të ketë ndikuar në aksident, por rrethanat e plota dhe përgjegjësitë do të përcaktohen në përfundim të hetimeve.

Ngjarja është nën hetim nga autoritetet kompetente.