I bllokuar për dy ditë brenda “shtëpisë së barit” me vlerë deri në 1 mln paund, arrestohet 30-vjeçari shqiptar në Skoci

Një 30-vjeçar shqiptar, Vilson Gjinaj, është shpallur fajtor nga gjykata në Skoci pasi u zbulua i bllokuar brenda një ambienti industrial të shndërruar në “shtëpi bari”, vlera e së cilës kap shifrën deri në rreth 1 milion paund.

Gjinaj u deklarua fajtor në Gjykatën Sheriff të Kilmarnock për prodhimin e kanabisit nga dhjetori i vitit të kaluar deri në shkurt të këtij viti. Ngjarja u zbulua më 3 shkurt, pasi policia u thirr pas raportimeve për erë të fortë kanabisi dhe aktivitet të pazakontë në një ish-ndërtesë motorësh në rrugën Canal Street.

Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, dëgjuan zhurmën e ventilatorëve dhe lëvizje nga brenda. 30-vjeçari u tha autoriteteve se kishte mbetur i bllokuar brenda objektit për dy ditë, pasi dera kryesore kishte ngecur ose ishte bllokuar. Për shkak të pamundësisë për të hyrë nga dera kryesore, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët arritën të depërtonin nga pjesa e pasme e ndërtesës.

Sapo policia hyri brenda, Gjinaj u dorëzua vullnetarisht. Brenda hapësirës, e cila ishte përshtatur gjithashtu për banim me krevat, pajisje gatimi, ushqim dhe ujë, u zbuluan gjithsej 1,563 bimë kanabisi në fazë rritjeje. Vlera e vlerësuar e drogës llogaritet mes 312,600 dhe 937,800 paund.

Pas kontrollit shëndetësor që konfirmoi se i riu nuk kishte pësuar lëndime, ai u arrestua dhe u vu në pranga. Avokati mbrojtës kërkoi përgatitjen e raporteve mbi rrethanat personale të të pandehurit, duke theksuar se ai nuk ka precedentë penalë. Sherifja Sheena Fraser e la Gjinajn në paraburgim dhe shtyu caktimin e dënimit për një datë të mëvonshme këtë vit.