Dhoma Kombëtare e Avokatisë mblidhet sot për të vendosur hapat që do të ndërmerren kundër rregullores së re të Gjykatës së Posaçme.
Në qendër të kundërshtimit është ndalimi i mbajtjes dhe përdorimit të telefonave celularë në sallat e gjyqit, masë që prek edhe avokatët.
Një nga opsionet e vendosura në tavolinë është bojkoti i seancave gjyqësore.
Rregullorja e re e GJKKO-së hyri në fuqi më 1 shtator.
Ajo përcakton rregulla të reja për sigurinë, rendin dhe sjelljen në ambientet e gjykatës, ndërsa një prej pikave që ka sjellë kundërshtime lidhet me telefonat celularë gjatë seancave.
Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, i është drejtuar GJKKO-së për rishikimin e dispozitave që prekin avokatët.
Kërkesa është bërë që në ditën e hyrjes në fuqi të rregullores, ndërsa deri tani, sipas Dhomës së Avokatisë, nuk ka pasur një përgjigje nga gjykata.
Për avokatët, çështja e telefonit lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e ushtrimit të profesionit.
Pajisja përdoret për dokumente, komunikime dhe materiale që lidhen me proceset gjyqësore.
Për këtë arsye, Dhoma e Avokatisë e konsideron ndalimin një pengesë për punën e mbrojtjes.
Përballë mungesës së një zgjidhjeje, Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme.
Në këtë takim pritet të përcaktohet nëse avokatët do të kalojnë nga kundërshtimi institucional në një masë konkrete, përfshirë bojkotin e seancave gjyqësore.
Kundërshtimet nuk lidhen vetëm me avokatët.
Rregullorja e re ka sjellë reagime edhe për mënyrën e aksesit të gazetarëve në ambientet e GJKKO-së dhe për kushtet e raportimit nga gjykata.
Vendimi i sotëm i Dhomës së Avokatisë pritet të përcaktojë nëse do të ketë bojkot të seancave apo do të vijojë përpjekja për ndryshimin e rregullores përmes rrugës institucionale.




