BRUKSEL- Eurodeputeti gjerman Sebastian Everding, njëkohësisht zëvendëskryetar i Delegacionit BE–Shqipëri gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian, ka shprehur mbështetjen për protestat në mbrojtje të Lagunës së Nartës. Ai theksoi se mijëra qytetarë shqiptarë po ngrejnë zërin për të mbrojtur një nga zonat ligatinore më të rëndësishme të Mesdheut, habitat i flamingove dhe shumë specieve të rralla.
Everding u shpreh se protesta për Nartën përfaqëson kërkesën e qytetarëve për transparencë, mbrojtje të mjedisit dhe një zhvillim që nuk favorizon vetëm interesa të ngushta ekonomike. Ai nënvizoi se kur korrupsioni ndikon në vendimmarrjet politike, vihet në rrezik jo vetëm natyra, por edhe demokracia dhe shteti i së drejtës.
Sipas tij, shkatërrimi i mjedisit, tolerimi i korrupsionit dhe shpërfillja e interesave të qytetarëve dëmtojnë besimin e publikut në rrugën europiane të Shqipërisë. Everding tha ndër të tjera se Europa përfaqëson vlerat e shtetit ligjor dhe se qytetarët shqiptarë meritojnë një të ardhme të ndërtuar mbi lirinë, demokracinë dhe ruajtjen e pasurive natyrore.
“Shqipëria nuk është në shitje. Mijëra njerëz dalin çdo ditë në rrugë për të mbrojtur lagunën e Nartës. Ata luftojnë për një nga zonat më të rëndësishme ligatinore në të gjithë Mesdheun. Atdheu i mijërave flamingove dhe shumë llojeve të tjera të rralla të kafshëve. E ashtëquajtuara revolucion i flamingove është shumë më tepër se sa një lëvizje mjedisore. Ajo është protestë e njerëzve që nuk duan më të pranojnë që natyra e çmuar të sakrifikohet për projekte ekonomike. Popullsia shqiptare është e guximshme. Ajo ngre zërin për transparencë, për mbrojtjen e mjedisit dhe të ardhmes që nuk caktohet vetëm nga pak pak përfitues. Duhet ta themi qartë se aty ku korrupsioni ndikon vendimmarrjet politike, demokracia shteti ligjor dhe mbrojtja e natyrës bien njësoj nën presion. Kush shkatërron natyrën, tolereon korrupsionin dhe shpërfill interesat e popullit, rrezikon kështu dhe besimin në një rrugë europiane të Shqipërisë Europa përfaqëson shtetin e së drejtës. Njërëzit në Shqipëri meritojnë një të ardhme në liri, demokraci dhe një natyrë të paprekur,” u shpreh Sebastian Everding.




