Një ngjarje e rëndë familjare është zbardhur nga Policia e Lezhës në fshatin Fushë-Mamurras të Kurbinit, ku Dave Shpani 85-vjeçare, e raportuar fillimisht si viktimë e një vdekjeje natyrale, rezulton se është vrarë.
Sipas policisë, e moshuara kishte ndërruar jetë më 30 prill 2026 dhe rasti nuk ishte raportuar si ngjarje kriminale. Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, u ngrit një grup i posaçëm hetimor që nisi verifikimet në bashkëpunim me Prokurorinë.
Nga hetimet rezultoi se 85-vjeçarja kishte humbur jetën si pasojë e goditjeve me mjet prerës. Si autore e dyshuar e krimit është identifikuar vajza e saj, Viola Shpani, 57 vjeçe, e cila jetonte në të njëjtën banesë me viktimën dhe sipas policisë vuante nga probleme të shëndetit mendor.
57-vjeçarja është vënë në pranga për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa si provë materiale është sekuestruar edhe thika që dyshohet se është përdorur në krim.
Në lidhje me këtë rast është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe një mjeke, e identifikuar me inicialet Anila Lleshi, e cila ka plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar atë si natyrale dhe pa njoftuar organet e policisë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse persona të tjerë kanë pasur dijeni ose përfshirje në këtë rast.
Njoftimi
Kurbin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Enigma”. Zbardhet një ngjarje kriminale, vrasje në familje, e ndodhur në fshatin Fushë Mamurras, Kurbin. Dyshohet se ka vrarë nënën e saj me mjet prerës (thikë), vihet në pranga 57-vjeçarja Violeta Shpani.
Procedohet penalisht edhe një shtetase (mjeke), e cila ka plotësuar aktin si vdekje natyrale dhe nuk ka raportuar në Polici rastin. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë siguroi të dhëna në rrugë operative se në fshatin Fushë Mamurras kishte ndërruar jetë një 85-vjeçare më datë 30.04.2026, duke u pretenduar vdekje natyrale dhe pa u raportuar në Polici.
Nga të dhënat e siguruara nga Policia lindën dyshime të arsyeshme për një ngjarje kriminale. Bazuar në informacionet e siguruara, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në bashkëpunim me Prokurorinë nisi menjëherë veprimet verifikuese dhe hetimore në lidhje me rastin.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se shtetasja D. Sh., 85 vjeçe, ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me mjet prerës (thikë), ndërsa si autore e dyshuar e ngjarjes rezulton vajza e saj, shtetasja V. Sh., e cila jetonte në të njëjtën banesë me viktimën dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetases V. Sh., 57 vjeçe, banuese në Fushë-Mamurras, e dyshuar si autore e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thikë), si dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.
Gjithashtu, janë referuar materialet procedurale në gjendje të lirë për shtetasen A. Ll., mjeke, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, e cila ka plotësuar aktin e vdekjes, duke e cilësuar si vdekje natyrale dhe duke mos e raportuar në Polici vdekjen e 85-vjeçares.
Në bashkëpunim me Prokurorin vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe, nëse ka persona të tjerë të përfshirë, për identifikimin dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore




