Kompensimi lidhet me tatimin e mbipaguar dhe zbritjet për fëmijët. Për shpenzimet arsimore mund të përfitojnë individët me të ardhura bruto vjetore deri në 1.2 milionë lekë
Administrata Tatimore ka nisur gjatë muajit shtator procedurat e rimbursimit për individët që kanë deklaruar të ardhurat përmes Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2025 dhe kanë plotësuar kriteret për përfitim.
Sipas të dhënave të administratës tatimore, deri më 15 gusht janë 39,940 individë përfitues nga tatimi i mbipaguar dhe zbritjet për fëmijët. Vlera totale e rimbursimeve arrin në rreth 6.4 milionë euro.
Procesi vijon edhe për aplikuesit të cilëve u janë konstatuar mangësi në dokumentacion. Tatimet u kanë dërguar njoftime gjatë muajit qershor, duke u dhënë një afat prej 20 ditësh për plotësimin e dokumenteve të kërkuara. Në të kundërt, kërkesa për rimbursim mund të anulohet.
Një nga rastet është ai i një mësueseje, e cila kishte aplikuar për kompensim pas plotësimit të DIVA-s dhe rezultoi me tepricë kreditore prej 25 mijë lekësh. Ajo ka dy fëmijë dhe, në bazë të të ardhurave vjetore, përfiton nga skema e zbritjes së shpenzimeve për arsimin e fëmijëve.
Sipas rregullave të skemës, shpenzimet arsimore për fëmijët nën 18 vjeç mund të njihen deri në 100 mijë lekë, ndërsa përfitimi lidhet me kushtin që të ardhurat bruto vjetore të individit të mos kalojnë 1.2 milionë lekë.
Shpenzimet duhet të jenë të justifikuara përmes faturave fiskale, të cilat ngarkohen online në sistemin e-Filing. Për përfitimin e rimbursimit kërkohet gjithashtu plotësimi i kërkesës online dhe dorëzimi i dokumenteve përkatëse, përfshirë certifikatën familjare dhe të dhënat bankare.
Në rastet kur Tatimet kanë evidentuar mangësi në dokumentacion, aplikuesit mund t’u përgjigjen njoftimeve duke paraqitur dokumentet dhe informacionet që provojnë plotësimin e kritereve të kërkuara. Për këtë procedurë, shumë individë janë asistuar edhe nga ekonomistë dhe kontabilistë.
E drejta për të kërkuar përfitimin nuk humbet menjëherë, pasi aplikuesit mund ta ushtrojnë këtë të drejtë brenda një periudhe 5-vjeçare.
Për të marrë shumën e miratuar në llogarinë bankare, aplikuesit duhet të plotësojnë kërkesën përkatëse në e-Filing dhe të ngarkojnë dokumentet justifikuese, përfshirë IBAN-in e llogarisë bankare në format PDF.




