Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi me armë zjarri i Viktor Bardhit në fshatin Ndërfushas të Mirditës, ngjarje e cila ka vënë në lëvizje strukturat e policisë dhe prokurorisë. Hetuesit po rindërtojnë lëvizjet e autorëve para dhe pas krimit, ndërsa pista kryesore e hetimit mbetet ajo e gjakmarrjes.
Sipas të dhënave paraprake, autorët dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes duke përdorur një nënkalim të “Rrugës së Kombit”. Për të humbur gjurmët, ata kanë djegur mjetin e tyre rreth 20 minuta pas krimit në fshatin Monaz, ndërsa dyshohet se më pas kanë kaluar në një tjetër automjet për t’iu shmangur kamerave të sigurisë dhe kontrolleve të policisë. Nga verifikimet e deritanishme në hyrje-daljet e Rrëshenit, mjeti i parë i përdorur nuk është identifikuar ende.
Kjo ngjarje tragjike shtohet në sagën e një konflikti të përgjakshëm që daton prej vitit 2016 mes familjes Bardhi dhe një fisi tjetër në zonë, konflikt i cili numërojë disa viktima ndër vite. Vetë Viktor Bardhi i shtohet listës tragjike të familjes, ku më herët janë vrarë edhe vëllai i tij, Martin Bardhi, në vitin 2023, si dhe nipi i tij, Kristian Bardhi, në janar të vitit 2025 – ngjarje këto ende të pazbardhura plotësisht nga drejtësia.
Në kuadër të hetimeve për atentatin e fundit, Drejtoria e Policisë së Lezhës ka konfirmuar shoqërimin e një personi në komisariat, ndërsa vijojnë verifikimet e mëtejshme për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe të bashkëpunëtorëve të mundshëm që i kanë ndihmuar në arratisje.




