Një mësues nga Teksasi shpërtheu në lot pasi u përball me vështirësi të mëdha gjatë një ore mësimi me maturantët e tij. Darius Williams, mësues në shkollën e mesme Wheatley, pjesë e Distriktit Shkollor të Hjustonit, tha në një video të publikuar në rrjetet sociale se nuk arriti të përfundonte mësimin e parë të ditës së dytë të shkollës.
Shkak, sipas tij, ishte niveli jashtëzakonisht i ulët i aftësive të nxënësve në lexim dhe shkrim, situatë që e emocionoi dhe e tronditi. “Sapo përfundova një orë mësimi tre-orëshe dhe fjalë për fjalë, u rrëzova në mes të orës”, tha Williams në videon e publikuar në Instagram gjatë pushimit të drekës.
Williams, i cili jep mësim në Arsimin Teknik dhe Profesional, tregoi se u kishte dhënë nxënësve të tij, të gjithë maturantë, dy paragrafë për të lexuar dhe më pas u kishte kërkuar të përfundonin një fjali që ai pothuajse e kishte plotësuar vetë.
Por reagimi i tyre e befasoi. “Unë praktikisht e kisha përfunduar fjalinë për ta. Këta janë 17 dhe 18-vjeçarë dhe nuk mundën të përfundonin katër fjalë. Katër fjalë!”, u shpreh i revoltuar mësuesi.
Ai tha se ua kishte dhënë nxënësve edhe skenarin, kishte marrë shënime bashkë me ta dhe madje u kishte dhënë përgjigjet përpara se të përballeshin me ushtrimin. “Ua dhashë përgjigjet para se ta shihnim problemin dhe ata përsëri nuk mundën ta bënin. Nuk e di, thjesht nuk e di se ku është problemi”, tha Williams.
“Ata nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë.” Mësuesi u shfaq dukshëm i emocionuar teksa fliste për situatën. “Është vetëm dita e dytë dhe kam maturantë që thjesht nuk dinë të lexojnë dhe maturantë që nuk dinë të shkruajnë. Ata nuk dinë të shkruajnë”, tha ai. Sipas Williams, nxënësit kanë aftësi për të folur, për të argumentuar dhe për të mbrojtur pikëpamjet e tyre, por hasin vështirësi kur duhet t’i shprehin këto ide përmes shkrimit.




